Historiku
Biblioteka
Shkencore e Universitetit Politeknik të Tiranës është institucion kulturor
dhe informues dhe e ushtron
veprimtarinë e vet në shërbim të procesit mësimor, edukativ, të formimit
profesional dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore të Universitetit Politeknik
të Tiranës. Biblioteka mbështet
studentët dhe stafin akademik në punën shkencore përmes sigurimit të
informacionit në fushat e interesit të tyre.
Kjo është edhe biblioteka
më e madhe universitare dhe biblioteka e dytë në vend pas Bibliotekës
Kombëtare. Biblioteka Shkencore -UPT, u
themelua 17 Shtator 1957, me emërtimin Biblioteka
e Universitetit të Tiranës, - vit në të cilin hapi dyert për studentët Universiteti
i Tiranës. Misioni i kësaj biblioteke ishte të ndihmonte procesin
mësimor, shkencor e edukativ duke iu shërbyer studentëve, pedagogëve,
punonjësve shkencorë dhe studiuesve të tjerë në të gjithë vendin.
Biblioteka e
Universitetit e filloi punën e saj me një fond prej 30.000 vëllime. Këto ishin
libra të bibliotekave të instituteve shkencore e shkollave që u shkrinë me
rastin e krijimit të universitetit, si Instituti Pedagogjik dyvjecar dhe ai
katërvjecar, Instituti i Shkencave, Instituti Politeknik, Instituti Ekonomik,
Instituti Mjekesor, Instituti Juridik etj. Vitet
e para pati një rritje të shpejtë të fondeve dhe pas pesë vjetësh ai arriti në
120.000 vëllime. Në këtë fond gjendeshin botime me vlerë të
vecantë albanologjike të shek.XVI e XVI të Barletit, Budit, Bogdanit etj.
Krahas
pasurimit të saj të vazhdueshëm, nga biblioteka janë shkëputur në vite libra që
kanë shërbyer si bërthama të krijimit të bibliotekave të tjera si ajo e
Institutit të Naftës në Kuçovë, Institutit Pedagogjik në Shkodër, Institutit të
Lartë të Arteve, Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë etj.
Njëkohësisht
me Bibliotekën Qendrore në vitin 1957 ka funksionuar edhe Biblioteka e
Fakultetit të Mjekësisë, e cila ishte në varësi të saj. Me shtimin e numrit të
studentëve të Universitetit dhe kërkesat në rritje për literaturë, nga
Biblioteka Qendrore u shkëputën me radhë, sipas kushteve të çdo fakulteti,
fonde librash dhe shtypi periodik për të krijuar degë sa më pranë lexuesve.
Kështu në vitin 1967 u krijua Biblioteka e Fakultetit të Shkencave të Natyrës,
në vitin1968 u krijua Biblioteka e
Fakultetit të Historisë e Filologjisë dhe më vonë ato të Fakultetit Ekonomik,
Juridik, të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Gjeologji-Miniera, dhe më vonë u krijua
edhe Biblioteka e Qytetit Studenti. Të gjitha këto biblioteka kanë funksionuar
si degë të Bibliotekës Qendrore, e cila ishte dhe vazhdon të jetë qendër e
pasurimit, informacionit bibliografik, marrëdhënieve me jashtë si edhe qendër
që kryen kualifikim të posaçëm.
Në
vitin 1991 me rithemelimin e Universitetit Politeknik të
Tiranës dhe shkëputjen e tij nga Universiteti i Tiranës, në strukturën e tij
akademike u rigrupuan të gjitha fakultetet me formim inxhinierik, po kështu dhe
bibliotekat përkatëse të këtyre fakulteteve.
Në
vijim, me Vendim Nr.11, datë 01/06/1995 të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës,
u rithemelua Biblioteka Shkencore e
Universitetit Politeknik të Tiranës. B.SH-UPT. Ajo ka pjesë përbërëse të strukturës
së saj: Bibliotekën e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Bibliotekën e
Fakultetit Gjeologji Miniera, si dhe Bibliotekën e Fakultetit të Inxhinierisë
Matematike dhe Fizike.
Sektori i Zhvillimit të
Koleksioneve bashkëpunon ngushtë me degët e saj pranë
fakulteteve përkatëse, me dekanatet, departamentet
dhe stafin akademik të U.P.T –së për zgjedhjen e literaturës së nevojshme në
mbështetje të procesit mësimor dhe punës kërkimore shkencore në UPT. Gjithashtu,
sektori nëpërmjet marrëdhënieve të shkëmbimit me rreth 25 biblioteka
universitare të botës, realizon një pasurim efektiv me literaturë të huaj, si
dhe iu përgjigjet edhe kërkesave të stafit akademik duke huazuar literaturë nga
biblioteka të ndyshme të botës.
Biblioteka Shkencore kryen
një shërbim me cilësi të lartë për kërkimin shkencor, duke zhvilluar dhe
promovuar një informacion të gjerë dhe shumëdisiplinor jo vetëm në gjuhën
shqipe, por edhe në gjuhë të tjera të huaja. Së bashku me degët e saj, ajo ka
një koleksion prej më shumë se 150.000 vëllimesh, prej të cilave 70% e tyre
pëmbajnë literaturë me karakter tekniko-shkencor. Ky organizim i ka dhënë
mundësinë Bibliotekës Shkencore të kryejë rolin e qendrës së depozitimit dhe ruajtjes së botimeve me
karakter tekniko-shkencor, në gjuhën shqipe dhe të huaj, si edhe rolin e
qendrës arkivore të të gjitha botimeve universitare, të personelit akademik e
më gjerë, si disertacione, tekste mësimore, periodikë shkencorë etj.